Në një bashkëbisedim me gazetarët, Kryetari i Grupit Parlamentar i LSI, Petrit Vasili tha se PS juridikisht nuk mund të tërheqë ligjin për mbetjet. Sipas tij nuk kemi të bëjmë me një pr/ligj, por me një ligj ndaj me këtë rast i takon kryetarit të Kuvendit që të bëjë rojtarin korrekt të rregullores së Kuvendit.
DEKLARATA E VASILIT
"Kryetari i grupit parlamentar të PS ka thënë publikisht që tërheq pr/ligjin. Po sqaroj opinionin publik dhe ju. Nuk kemi të bëjmë me pr/ligj për mbetjet, por kemi të bëjmë me ligj. Pra Kuvendi i Shqipërisë për këtë çështje është shprehur me votë. Që nga ky moment po themi pronësia politike e propozuesve qofshin deputetë apo qeveri, ka rënë.
Ky ligj tashmë është pjesë e atyre ligjeve që Kuvendi miraton. Ka vetëm një moment procedurial që Presidenti ka kthyer ligjin dhe i ka dhënë një mundësi të re mazhorancës të reflektojë. Detyra e mazhorancës fillon me shqyrtimin e dekretit të Presidentit dhe më tutje të ecë përpara. Nuk ka asnjë mundësi juridike që PS të tërheqi, nuk është pr/ligj, por është ligj.
Këtu ka një rol të vecantë për të bërë rojtarin korrekt të rregullores, kryetari i Kuvendit. Nëse Ruçi do të pranonte një dhunim të tillë skandaloz të rregullores ky do të ishte fundi i parlamentit dhe problemi që flasim kaq sekonda në parlament kjo nuk ka rëndësi, sepse rregullorja në këtë moment do kishte rënë.
Kryetari i Kuvendit duhet tja përcjellë komisionit përkatës, dhe këtu detyra e kryetarit të Kuvendit mbaron pasi nuk ka asnjë atribut tjetër dhe komisioni përkatës duhet të marrë në shqyrtim nismën për dekretin e presidentit dhe brenda 8 javësh nga dita e fillimit duhet të prodhojë raportin dhe duhet të shkojë në seancë për të votuar ky dekret."- ka thënë Vasili.





