Teuta kryeson e vetme kampionatin pas javës së dytë, pasi ka marrë dy fitore, fillimisht me Luftëtarin në shtëpi dhe më pas me Vllazninë në transfertë. Me interes ata kanë ndjekur edhe ndeshjen Partizani-Kukësi dhe rezultati u ka shkuar atyre për shtat.

Mesfushori Albi Dosti, fillimisht ka deklaruar: “E ndoqa ndeshjen. Partizani u tregua ndoshta më shumë seç duhet i kujdesshëm, duke menduar se goli do vinte me kalimin e minutave. Kukësi nga ana tjetër ishte i vendosur mirë dhe rezultati është më se i drejtë. Na favorizon ky rezultat dhe e prisnim”, u shpreh mesfushori i rikthyer në Durrës këtë verë.

I pyetur nëse e prisnin ta nisnim me dy fitore, Dosti thotë: “Kishim bërë llogaritë tona dhe kemi punuar seriozisht gjatë verës. Kishim kalendar të favorshëm, e nisëm brenda. E kishim menduar që të fitonim në ndeshjet e para. Më kanë kontaktuar gazetarë dhe jam shprehur se luajmë për fitore, pa eufori dhe duke respektuar kundërshtarin”.

Më tej ai flet për ndeshjen në Shkodër dhe rikthimin e tij: “E prisnim që do të ishte një ndeshje e vështirë në Shkodër, pasi. Ishim më mirë fizikisht se nga Vllaznia. Ata janë grumbulluar pak më vonë. Ne kemi dy muaj që po punojmë. Këto dy vitet e fundit kam pasur rënie në karrierë, të jem i sinqertë. Teuta më ka dhënë mundësinë të bëhem pjesë e këtij projekti dhe duhet të jem i kënaqur që jam pjesë e formacionit”.

Në fund ka diçka edhe për autorin e golit të fitores ndaj Vllaznisë: “Çyrbjes i them të besojë në aftësitë e tij, pasi ka aftësi që i kanë shumë pak lojtarë në Superiore. Duhet të ulë kokën e të punojë. A kënaqem që shënoi një durrsak? Normalisht, por të gjithë kënaqemi kur shënon çdokush në ekip”.