Gazi oksidol N2O, që dyshohet se ua mori jetën dy pacientëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), nuk është në listën e produkteve mjekësore që kanë autorizim për marketing në Agjencinë e Kosovës për Pajisje me Produkte Mjekësore (AKPPM), shkruan sot “Koha Ditore”.
Certifikatën që e dëshmon këtë autorizim nuk e kanë kërkuar në procedurën tenderuese asnjëherë në QKUK, ndërkohë që gazi, por nga të tjera kompani, është duke vazhduar të përdoret në institucionet shëndetësore. QKUK-në me këtë gaz e ka furnizuar kompania “Bubeari Komerc”, me seli në Kaçanik, me pronar Naser Gurin.
Kryeinspektorja e Inspektoratit Shëndetësor të Kosovës, Ardita Baraku, i ka thënë gazetës se të dhënat e para që kanë marrë nga AKPPM-ja tregojnë se ky lloj gazi nuk ka licencë për shpërndarje në Kosovë. Sipas saj, në raportin preliminar të kësaj agjencie citohet Udhëzimi Administrativ 01/2015- Autorizimi për Marketing për Produkte dhe Pajisje Mjekësore, sipas të cilit, gazrat për përdorim mjekësor konsiderohen produkte mjekësore.