Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot në një takim Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin e Jashtëm të Republikës së Kosovës Behgjet Pacolli.

Në fjalëne tij, Presidenti Meta uroi Pacollin për krijimin e qeverisë së re të Kosovës si dhe për detyrën e tij në këtë qeveri, si dhe shprehu angazhimin e tij në mbështetje të njohjeve të mëtejshme ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.

Presidenti Ilir Meta përshëndeti gatishmërinë e qeverisë se re të Kosovës për vazhdimin e dialogut me Serbinë, si një proces pa alternativë dhe në funksion të paqes në rajon.

Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal si një element kyç në promovimin e stabilitetit, sigurisë dhe paqes në gjithë rajonin. Procesi i Berlinit është një mundësi e mirë për të rritur bashkëpunimin rajonal dhe përshpejtuar perspektivën tonë të përbashkët evropiane, theksoi Presidenti.

Sipas Metës, Shqipëria u kushton një vëmendje parësore marrëdhënieve të NATO-s me Kosovën, ruajtjes së një pranie substanciale të KFOR-it, për garantimin e një mjedisi të sigurt jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë Rajonin.