Në vijim të vizitës zyrtare në Itali, Presidenti i Republikës, Ilir Meta u takua me Kryetaren e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit italian, zonjën Laura Boldrini.
Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera e të partneritetit strategjik midis dy vendeve, shprehu vendosmërinë për promovimin dhe forcimin e mëtejshëm të tyre në të gjitha fushat, si dhe mirënjohjen për mbështetjen më të fundit që zonja Boldrini dha personalisht në zgjidhjen e çështjes së eleminimit të taksës për mjetet shqiptare të transportit që tranzitojnë territorin italian.
Nga Presidenti Meta u vlerësua kontributi i jashtëzakonshëm i zonjës Boldrini si përfaqësuese e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR-së) në zonat verilindore të Shqipërisë, në përballimin e pasojave humanitare të konfliktit të vitit 1999 në Kosovë.
Intensifikimi i bashkëpunimit ndërparlamentar, në mënyrë të veçantë ai mes grupeve parlamentare të miqësisë, u konsiderua jashtëzakonisht i rëndësishëm për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe për mbështetjen e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.
Të dy bashkëbiseduesit u dakordësuan për nevojën e nxitjes të iniciativave ligjore, që u hapin rrugën projekteve konkrete për njohjen e kontributit të shqiptarëve që jetojnë në Itali me qëllim garantimin e një gjithëpërfshirjeje të drejtë për ta dhe familjet e tyre.





