Kjo është klinika dentare në pronësi të 33-vjeçarit Arlind Lala, në të cilën mbrëmjen e shkuar rreth orës 22:30, shpërtheu një sasi e vogël tritoli.
Lënda plasëse ishte vendosur në shkallët e jashtme dhe për pasojë janë thyer vetëm xhamat e derës hyrëse të klinikës dentare.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Petrit Llaftiu” në Shijak, ndërsa autorët nuk janë identifikuar ende.
Dyshohet se ky shpërthim mund të jetë një paralajmërim për pronarin e saj në lidhje me një ngjarje të ndodhur gjatë javës që lamë pas.
33-vjeçari Arlind Lala është pronari i inceneratorit, fabrikës që merret me përpunimin e mbetjeve spitalore dhe të kafshëve të ngordhura. Pesë ditë më parë, banorët e Shijakut u ngriën në protestë kundër funksionimit të kësaj fabrike, pasi sipas tyre, ajo shkakton ndotje të madhe mjedisore.





