Përfundon mbledhja e grupit të PD-së me dyer të mbyllura ku veç përballjes në seancë me programin e qeverisë të hënën u diskutua për rrjedhjen e votave në zgjedhjen e Gramoz Rucit si kryetar kuvendi.

Mësohet se mbledhja është përfshirë nga debati dhe tone kritikuese ndaj deputetëve. Basha u ka drejtuar kritika të forta Grida Dumës dhe Ervin Salianjit për daljet publike.

Kreu i PD-së Lulzim Basha u shpreh se PD dënon rrjedhjen e 2 votave në seancë, duke e konsideruar të papranueshme dhe se vendimi i grupit është për tu respektuar në unanimitet.

Po ashtu kryedemokrati u shpreh se PD dënon edhe manipulimin e PS dhe përpjekjen për blerjen e deputetëve të PD në këtë proces votimi.

Mësohet se edhe ish kreu i PD Sali Berisha i cili doli i pari nga mbledhja dënoni votimin e djeshëm të Gramoz Rucit duke u shprehur se ishte e pafalshme.

Burime bëjnë me dije se Berisha ka patur debatme sekretarin e grupit parlamentar të PD Ervin Salianji.

Partia Demokratike thirri këtë të dielë një mbledhje urgjente të grupit parlamentar, një ditë pasi asaj i rodhën 2 vota gjatë votimit të kandidaturës së Gramoz Ruçit për kryetar Kuvendi.

Ruçi mori 74 votat e PS, 3 të PDIU, një të PSD, Tom Doshi dhe 2 vota nga PD, duke shkaktuar tronditje te e djathta. /Shqiptarja/