Pas zgjedhjes së Gramoz Ruçit kryetar i Kuvendit me 80 vota pro, 3 prej të cilave nga opozita e djathtë, ka reaguar deputetja e re dhe njëkohësisht zëdhënësja e grupit parlamentar të PD-së, Grida Duma.
Sipas Dumës, votat nuk kanë rrjedhur nga PD-ja, dhe kjo është thjesht një intrigë e vogël për të anashkaluar faktin që ambasadori amerikan Donald Lu bojkotoi çeljen e punimeve të Kuvendit të Shqipërisë.
Duma thotë në një reagim në rrjetet sociale, se kjo ndodh për shkak se SHBA ia ka ndaluar përjetësisht hyrjen Ruçit në Amerikë, për shkak të lidhjeve të tij me krimin dhe trafiqet.
“Kurdisja e historisë me vota gjoja të rrjedhura është një intrigë e vogël për të larguar vëmendjen e opinionit nga fakti që për herë të parë qeveria amerikane ka bojkotuar çeljen e punimeve të Kuvendit të Shqipërisë për shkak se në krye të tij u vendos një njeri të cilin qeveria amerikane e ka ndaluar përjetësisht të hyjë në SHBA prej lidhjeve me krimin dhe trafiqet.
Edi Rama dhe ata që i mbajnë ison për çfarëdo interesi dhe motivi, as nuk e ndikojnë fare Partinë Demokratike dhe kauzat e saj”, shkruan Grida Duma.





