Teuta e Gugash Maganit jep përgjigjen e parë në fushë, në këtë start të sezonit, duke fituar 2-1 përballë Luftëtarit në “Niko Dovana”. 

Me trajnerin e ri Fernandez në stol dhe pa shkëlqimin e sezonit të kaluar, Luftëtari bëri pak që pjesa e parë e lojës të ishte tërheqëse. Loja e vakët dhe me pak raste ndryshoi vetëm në minutën e 34-t. Uruguajani Fabrisio Nunjez i transferuar gjatë kësaj vere në Gjirokastër u ndëshkua me karton të kuq nga gjyqtari Hamiti.

Edhe pse bluzinjtë provuan të mos dorëzoheshin dhe rrezikuan me kapitenin Beqiri Teuta nuk arriti të përfitonte nga superioriteti numerik dhe i vetmi moment për shënim u krijua me goditje standarde nga Albi Dosti.

Episodi që ndryshoi rrjedhën e sfidës ishte lëvizja e Maganit që largoi nga fusha Mamadu dhe aktivizoi nigerianin Onieke. Vetëm pak sekonda pas aktivizimit, sulmuesi fitoi 11-metërsh, sepse në duel me Zeqajn detyroi mbrojtësin ta devijonte topin me dorë në zonë.

Nga pika e bardhë i rikthyeri Nijas Lena nuk gaboi në ekzekutim dhe kaloi në avantazh durrsakët. Vendasit mund të kishin shënuar sërish edhe me Dediç, protestuan ashpër për një tjetër 11-metërsh të paakorduar ndaj Oniekes, ndërsa porta e Luftëtarit u rrezikua edhe nga Çyrbja dhe Dosti.

Teuta dyfishoi shifrat me Ardit Shehajn të aktivizuar vetëm prej dhjetë minutave në fushë, por në momentin kur suksesi dukej i sigurt, bregdetarët vendosën gjithçka në diskutim.

Në të 87-ën Kristal Abazaj shkurtoi shifrat dhe rindezi shpresat e Luftëtarit, por përveç tensionit në fushë ndërmjet Dostit dhe Aleksit, në fushë nuk ndodhi thuajse asgjë tjetër.

Teuta mori tri pikët e para në këtë kampionat, ndërsa te Luftëtari presin përforcimin e ri në sulm, Vasil Shkurtaj dhe lojën e bukur të edicionit të kaluar.

Ndiqni më poshtë prononcimin e dhënë nga dy trajnerët direkt pas përfundimit të ndeshjes për “DurrësLajm”.