Zlatan Ibrahimovic nuk dorëzohet, përkundrazi është më i motivuar se kurrë. I vendosur për t’u rikthyer në top formë këtë sezon, ai e pasqyron rikuperimin e tij nga dëmtimi në gju edhe në sekuenca filmike që i ndan në rrjetin Instagram, dhe në postimin e fundit sulmuesi i dërgon një mesazh pikërisht Jose Mourinhos.

"I thoni Joses se po vij". E ardhmja e veteranëve Ibrahimovic dhe kapitenit Carrick duke qenë të dëmtuar kanë ngritur pikëpyetje lidhur edhe me faktin se kontratat e tyre respektive përfundojnë verën e arshshme. Siç ka deklaruar edhe Morurinho më parë, Juan Mata, Daley Blind, Ander Herrera, Ashley Young, Luke Shaw dhe Sam Johnstone kontratat e të cilëve përfundojnë në fund të sezonit, kanë të përfshirë edhe opsionin për zgjatjen me një vit, ashtu si dhe Fellaini në muajin janar, ndaj duket se në Old Trafford, drejtuesit kanë të drejta mbi lojtarët deri në sezonin 2018-2019. 

Të vetmit që  nuk e kanë këtë opsion janë sulmuesi 35-vjeçar dhe kapiteni Carrick. Për ta trajneri portugez ka deklaruar se në fund të këtij sezoni të dy duhet të ulen për të shqyrtuar se çfarë kanë bërë dhe çfarë do të bëjnë. Gjithsesi, në rastin e rikthimit në gjendje optimale për këtë sezon, Ibra që një vit më parë qëndronte në majën e sulmit të Manchester United, tashmë duhet të bëjë llogaritë për përballjen me një tjetër super lojtar. Blerjen e kësaj vere të United, Lukakun, që po përmbush të gjitha pritshmëritë e që e ka nisur sezonin me këmbën e mbarë.