Ka nisur në selinë në selinë blu, mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, e dalë pas zgjedhjeve të 25 qershorit. Kryetari i PD-së Lulzim Basha mbajti një fjalim të shkurtër për mediat në nisjen e mbledhjes së grupit.
Basha tha se Partia Demokratike s’do të përfshihet në asnjë rrethanë në qeverisje.
“Ne jemi opozita dhe do bëjmë opozitën. S’do ketë ndarje pushteti dhe asnjë përfshirje të PD në qeverisje në asnjë rrethanë edhe në asnjë rast”.
Basha renditi “tre sfidat kryesore të PD” në këto 4 vite opozitë:
“Qëllimi i vetëm i yni është ta përmbushim me përkushtim dhe dinjitet këtë mision në interes të njerëzve, në interes të vendit tonë. Kjo është një kohë kritike për Shqipërinë. Do të përcaktohet nëse Shqipëria do ti rikthehet integrimit europian, demokracisë dhe shtetit ligjor, po do të zhytet në krimin e organizuar në bashkëpunim me elitën e korruptuar të vendit. Ne kemi tre sfida të rëndësishme.
Na takon ne PD dhe deputetëve të saj që të bëhemi pengesë që vendi mos rrëshqasë në kaosin e autokracisë dhe kriminalitetit. Droga, krimi, korrupsioni po e vdesin çdo mundësi për zhvillim në Shqipëri dhe po izolojnë vendin.
Na takon ne të ndryshojmë politiken dhe ti ofrojmë shqiptarëve alternativën e lirisë dhe demokracisë dhe do të reformojmë dhe modernizojmë PD që do ti paraprijë reformimit të sistemit politik që do fillojë nga sistemi zgjedhor.
Na takon ne që të jemi jo vetëm alternativë politike, por edhe alternativa morale”.
Gjatë paradites, edhe kryeministri Edi Rama ka mbledhur ditën e sotme grupin e ri parlamentar të PS-së. Ndërkohë, paraditen e nesërme, mblidhet Parlamenti i ri në seancën e parë konstituive për të hapur kështu sesionin e ri parlamentar.





