Kloriani i vogël 13-vjeçar nga Spitalla e Durrësit e humbi betejën më të rëndësishme të tij, betejën për jetën.
Gati një vit pasi u diagnostikua me sëmundjen e rëndë të tumorit malinj, zemra e vogëlushit u dorëzua në spitalin pediatrik të Tiranës ku gjendej prej muajit prill të 2016-s.
Familja e djaloshit të mbërritur nga zonat veriore të vendit në periferinë e Durrësit vite me parë, për asnjë moment nuk i humbi shpresat se djali i tyre i madh Kloriani do të ngrihej sërish në këmbë, e do të kthehej në klasën e tij, aty ku ka lënë shumë dhimbje midis shokëve, shoqeve e mësuesve, të cilët e prisnin të ulej sërish në klasë së bashku me ta.
Kurajoz e i guximshëm, Klorian Poka për ansjë moment nuk e humbi shpresën se do të fitonte luftën me sëmundjen. Madje buzëqeshja e tij deri në momentet e fundit, ishte shpresa në sytë e dy prindërve të tij dhe motrës e vëllait të vogël se Kloriani do të fitonte ndaj sëmundjes.
“DurrësLajm” ishte e para media në prill të 2016s e cila sensibilizoi mbarë opinionin publik, për të dhënë ndihmë për vogëlushin i cili dy muaj pasi kishte nisur seancat e kimioterapisë ishte kthyer në banesën e tyre të varfër në mes të zonës kënetore, sepse në pediatrinë e spitalit pediatrik në Tiranë nuk kishte më mjekim për të vijuar terapinë e nevojshme.
Vogëlushi dergjej në një shtrat të thjeshtë, duke e dashur jetën e duke besuar se do të rikthehej sërish të luante me shokët e tij të shkollës, ndërsa fjalët e babait të tij Zamirit e të gjyshes prekën zemrat e shumë shqiptarëve. Atyre iu duheshin një milionë lekë për të vijuar seancat e kimioterapisë në spital. Spitali i fëmijëve nuk kishte më barna dhe familja e tij nuk kishte asnjë të ardhur. Kura iu ble nga ish-deputetja Esmeralda Shkjau, ndërsa të tjerë qytetarë të Durrësit i erdhën në ndihmë familjes së 13-vjeçarit, i cili pas 18 muajsh luftë me sëmundjen e rëndë të tumorit, humbi betejën më të rëndësishme të tij, betejën e jetës!
Kloriani iu nënshtrua një operacioni të vështirë, por gjendja e tij mbeti e pastabilizuar, dhe sëmundja avancoi edhe më tej.
Të hënën e 11 shtatorit Kloriani nuk do të ulet në klasën e tij, duke prerë kështu rrugën e cila rezultoi mjaft e shkurtër për të, rrugën e jetës.
Në familjen e tij ka lënë pas shumë dhimbje te prindërit e të afërmit. Babai i tij kërkonte ta çonte jashtë shetit për kurim, por mundësitë ekonomike të tij ishin zero.
Qofsh i parajsës djalosh!
Apeli më 5 prill 2016:
Zamir Poka, babai i dy djemve, me lot në sy iu drejtua “DurrësLajm” për ndihmë. Djali i tij 13-vjeçar duhet të nisë seancën e tretë të kimioterapisë, por prindërit duket se janë dorëzuar, përballë gjendjes së rëndë ekonomike dhe sociale ku ndodhen.
13-vjeçari Klorian Poka, fëmija i madh i familjes Poka, me banim në Spitallë të Durrësit, e origjinë nga Kukësi, po vuan prej muajsh nga një sëmundje tumorale. Djali gjendet në shtrat, pasi ka lënë shkollën prej 2 muajsh, përfundimisht, për t’iu nënshtruar seancave të kimioterapisë në spitalin e Tiranës. Me lot në sy, flasin babai e gjyshja, ndërsa nëna e tij është e vetmja që punon në familjen prej pesë anëtarësh me të ardhura 200 mijë lekë të vjetër në muaj.
Babai i tij Zamir Poka, në një intervistë për “DurrësLajm”, pohoi se mjekët i kanë thënë që mundësia për të shpëtuar është jashtë vendit, pasi sëmundja i ka prekur një këmbë dhe po i përhapet në mëlçi.
Zamir, cili është problemi juaj?
Kam djalin e madh që vuan nga tumori. Nesër duhet ta çojmë në Tiranë për t’i bërë seancën e tretë të kimioterapisë. Është shumë i sëmurë, e nuk di si ta ndihmoj. Vuan nga tumori, dhe ka bërë dy seanca deri tani.
Nuk shkon më në shkollë djali?
Jo, u bë kohë që nuk shkon, sepse nuk është në gjendje është me ilaçe të rënda. Unë si prind bëra çfarë ishte e mundur për ta kuruar, mora 2 milionë lekë kredi në bankë dhe jemi zhytur në borxhe. Më ndihmuan sa patën mundësi të afërmit, tani kemi mbetur.
Kush punon në familjen tuaj?
Përveç gruas që merr 200 mijë të vjetër në rrobaqepësi, asnjë tjetër. Nëna ime është pa pension, unë kam mbetur pa punë sepse ndjek djalin në spital.
Çfarë kërkoni ju?
Nëse na ndihmon dikush për djalin, mjekja Anila Godo na ka thënë që jashtë vendit mund të shpëtojë për sëmundjen që ka. Unë nuk kam lekë ta çoj nesër me taksi në Tiranë për të bërë kimioterapinë, ndërsa gruaja është e vetmja që punon. Nuk kemi paguar as dritat se nuk kemi asgjë.
K.H.