Dy ditë pas aksidentit tragjik të 4 shokëve të ndodhur në superstradën Fushë Krujë-Thumanë, me pasojë vdekjen e dy të rinjve dhe plagosjen e dy të tjerëve, policia ka arrestuar një tjetër drejtues mjeti.
Sipas policisë së Durrësit, rezulton se makina ku udhëtonin 4 shokët, është fërkuar me një tjetër mjet tip “Benz”, dhe si pasojë, viktima që drejtonte automjetin ka humbur kontrollin dhe është përplasur me trafik-ndarësen në rrugë.
Kështu, në pranga përfundoi E. Pica 22 vjeç, banues në Lezhë.
“Më datë 06.09.2017, rreth orës 23:40, në Derven, Krujë, në superstradën Fushë Krujë-Thumanë, duke drejtuar mjetin tip “Benz” me targa AA 085 RM, është fërkuar me mjetin tip “Volkswagen” me targa AA 166 LA, me drejtues shtetasin R.K. 28 vjeç, banues në Tiranë”, sqaron policia.
Për pasojë kanë ndërruar jetë në spital Roland Kacani, 28 vjeç nga Tirana, (shoferi i mjetit) dhe Altin Prendushi, 27 vjeç nga Lezha, (i cili ndodhej në vend të parë pasagjer).
Dy pasagjerët që ndodheshin në sediljen e pasme dhe që mbetën të plagosur janë: Eduard Lamaj 27 vjeç nga Laçi dhe Bledar Dauti 31 vjeç nga Tirana.
Grupi hetimor ka marrë në pyetje të mbijetuarit, që kanë thënë se ishin takuar në Tiranë ku kishin darkuar të katërt si shokë dhe më pas ishin nisur drejt Lezhës, por udhëtimi i tyre përfundoi në tragjedi.
Sakaq, ndaj 22-vjeçarit të arrestuar së fundmi rëndon akuza: “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.





