Një ditë pas mbledhjes së dytë të qeverisë, Kryeministri Rama po mban një takim me disa gazetarë në Velipojë. Kreu i qeverisë i është përgjigjur ndër të tjera interesit të medias, edhe në lidhje me numrin e madh të viktimave në bregdetin shqiptar.

Rama tha se kjo situatë nuk ka qenë si pasojë e mungesës së rojeve bregdetare, por u zotua se për përmirësimin e kësaj çështjeje, kanë një plan që pritet të nisë vitin e ardhshëm.

“Me sa di shumica e rasteve kanë ndodhur në plazhe të paautorizuara. Dikush shkon larg dhe pëson infarkt, kësaj s’ke çi bën. Pjesa dërrmuese e këtyre ndodhive nuk ka lidhje fare me mungesën e rojeve bregdetare. Por këtë çështje do ta vendosim në tjetër standard vitin e ardhshëm. Kemi një plan të mirë vitin e ardhshëm për ta përmirësuar këtë situatë”, tha Rama.

Kjo verë ka shënuar numër të konsiderueshëm jetë të humburish në bregun shqiptar, ku viktimat kanë qenë vendas dhe turistë të huaj.