Las Vegasi vazhdon të jetë me fat për boksierin amerikan Floyd Mayweather, ndaj ai vendos të mos largohet nga “qyteti i kumarit”. Pak ditë pas fitores me “KO teknik” në raundin e dhjetë ndaj Conor McGregor, boksieri ka treguar përmes një video të publikuar në rrjetet sociale se ka fituar një shumë goxha të majme në lojërat e fatit në Las Vegas.

Në një video të shkurtër të publikuar në “Instagram”, Mayweather ka treguar se ka fituar një “jackpot” me vlerën e 105 mijë dollarëve.

Duket sikur boksieri po e shijon shumë këtë periudhë fitiprurëse për të, pasi 10 ditë më parë ai arkëtoi çekun me vlerën e 350 milionë dollarëve nga dueli me irlandezin, ku dhe korri fitoren e 50-të si profesionist.