Kreu i diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati pjesëmarrës në Këshillin e Integrimit, në fjalën e tij u shpreh se pranvera e vitit 2018 do të jetë vendimtare për vendin tonë përsa i përket procesit të integrimit.

Bushati gjithashtu tha se aktorët politikë në Shqipëri duhet të kenë nxjerrë mësimet e duhura nga vitet e shkuara rreth kësaj çështjeje.

"Vitet e shkuara është luajtur shumë me datat. Loja me datat ka filluar tani. Elementi kryesor ku duhet të referohemi është ai konvergjent. Mënyra si funksionojnë institucionet tona, mënyrën si reformohet shteti dhe shoqëria shqiptare, situata ekonomike. Këto janë tema që krijojnë presionin e domosdoshëm në shoqëri në mënyrë që qeveritë, vendimarrësit kryesorë të marrin vendimet e duhura dhe të drejta. Duke qenë se jemi para fillimit të parlamentit të ri, shpresoj shumë që vullneti politik qeveri-opozitë tek ky proces do duhet të demonstrohet me një cilësi më të madhe dhe me një bashkëpunim dhe më të strukturuar se në të kaluarën. Gjithë aktorët politikë shpresoj të kenë nxjerrë mësimet e duhura. 2018 është viti vendimtar, vetë BE në pranverën e 2018 do diskutojë për paketën e zgjerimit dhe në rast të një vendimarrje për ne që shpresojmë që do të jetë pozitive për hapjen e bisedimeve për anëtarsim, periudha 1 vit e gjysëm përpara do jetë vendimtare sepse 2019 do të jetë rinovim institucionesh ne BE. Dhe kur ka rinovim insitucionesh dhe mandatesh nuk ka domosdoshmërisht një fokus tek ky lloj procesi. Dhe në kuadër të ristrukturimit qeveritar është vendosur që procesi i integrimit europian të kanalizohet brenda një strukture unike duke u përgatitur për fazën e ardhshme, procesin e bisedimeve për anëtarësim në BE"-përfundoi Bushati.