Një shqiptar nga Kosova ka alarmuar autoritetet në Zvicër dhe ndaj tij ka nisur një operacion i madh kërkimi pasi ai është arratisur nga burgu.

Bëhet fjalë për shtetasin Bashkim L., 35 vjeç nga Kosova, i dënuar për vrasje dhe me rrezikshmëri të lartë.

Sipas medieve zvicerane, 35-vjeçari është arratisur gjatë natës mes së premtes dhe të shtunës së javës së kaluar nga burgu qendror i Friburgut në Zvicër.

Policia e Friburgut i ka kërkuar sot qytetarëve ndihmë për informacione nëse e shikojnë të arratisurin.

Sipas policisë, me shumë gjasa ai është larguar nga Zvicra dhe ka mbërritur në Kosovë.

Bashkim L., ishte dënuar në vitin 2013 për vrasjen e një shqiptari nga Kosova, por që jetonte në Itali, pas përplasjeve për kontrollin e territoreve të shitjes së drogës. Fotografia dhe raporti i personit mbi 35-vjeçarin janë shpërndarë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.