Pas statusit të kryeministrit Rama në lidhje me Akademinë e Shkencave ka reaguar kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili. Vasili thotë se Akademia e Shkencave ka nevojë të transformojë rrënjësisht raportin e saj me shoqërinë dhe vendin.

Reagimi i Vasilit:

Shkollëpakti flet për godinën e Akademisë së Shkencave

Akademia e Shkencave ka nevojë të transformojë rrënjësisht raportin e saj me shoqërinë dhe vendin. Edhe menaxhimi i saj i brendshëm duhet të ndryshojë. Akademia dhe akademikët duhet të jenë pjesë e vyer e debatit publik multivalencial, por ata i kanë munguar këtij debati, ndaj edhe ai është shpesh shumë i varfër dhe domen i profanëve të paskrupuj. Raporti i akademisë me shkencëtarët e rinj të talentuar, që formohen në Shqipëri dhe jashtë saj dhe me kërkimin shkencor në tërësi, është i ngurtë dhe joinspirues. Këto janë çështje madhore, që duan përgjigje, e që edhe ne i duam këto përgjigje. Një tjetër Akademi Shkencash i duhet vendit. Zgjedhjet brenda saj, që riciklojnë problemet e vjetra dhe nuk na i japin këto përgjigje, përse duhen? Nga i gjithë ky debat i madh konceptual dhe parimor kryeministri ynë shkollëpak ka kuptuar vetëm që duhet t'i rrëmbejë godinën dhe të mos i japë më ca lekurina Akademisë. Aq di, kot t'i kërkojmë më shumë atij.