Identifikohet autori i dyshuar për plagosjen me armë zjarri të 21-vjeçarit, Edmir Nilaj, në një lokal me muzikë në fshatin Beltojë të njësisë Bërdicë.

Policia thotë se autori i dyshuar i ngjarjes është Admir Dekovi, 35 vjeç, banues në Shkodër., ish-efektiv i forcave speciale të ushtrisë, personi që shihni në foto.

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, po punohet për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Dekovi mësohet se ka qenë efektiv i forcave komando. Në profilin e tij në “Facebook” gjen foto të shumta me uniformën e elitës së ushtrisë dhe me armë të llojeve të ndryshme. 

Gjithashtu policia ka vënë në pranga katër persona, të gjithë për veprën penale “Moskallëzim krimi”. 

Të arrestuarit:

-Alberto N. 32 vjeç, banues në Hot i Ri Shkodër.

-Bert Sh. 34 vjeç, banues në Hot i Ri Shkodër.

-Leandro N. 35 vjeç, banues në  Hot i Ri Shkodër.

-Eduard F. 33 vjeç, banues  në Hot i Ri Shkodër

NGJARJA

Ngjarja u regjistrua në orën 03.35 të së dielës në lokalin e natës ku i plagosur mbeti Edmir Nilaj nga fshati Vukel i Malësisë së Madhe, i cili u dërgua me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodrës.

Konflikti nisi me disa të rinj të tjerë që ishin në një tavolinë ngjitur. Sipas informacioneve, shkak është bërë një celular i humbur nga ana e 21-vjeçarit. Nën konsumimin e alkoolit pati fyerje dhe shtyrje mes njëri-tjetrit.

Në mes të sherrit, 35-vjeçari Admir Dekovi nxori një armë dhe fillimisht e goditi me qytën e saj Nilajn e më pas me një plumb. Arsyet e përfshirjes së tij në konflikt janë të paqarta.