Pas skafit me 2.3 tonë kanabis të kapur në Itali, ka reaguar edhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha. Në një postim në “Facebook”, lideri demokrat akuzon Kryeministrin Edi Rama.
Sipas Bashës, lufta kundër drogës që deklaron Kryeministri është vetëm propagandë, ndërkohë që shton se projekti i Ramës është drogë, kriminelë dhe korrupsion.
“Ngarkesa prej 2,3 tonë drogë e kapur sot në Itali dëshmon një të vërtetë të hidhur: trumpetat e Edi Ramës për luftë kundër drogës janë vetëm mashtrime me qëllim tulatjen e qytetarëve dhe të komunitetit ndërkombëtar. Ndërkohë ai mbron dhe promovon kokat e krimit të organizuar dhe bashkëpunëtorët e tyre politikë. Ky në fakt është projekti PS+ i shpallur prej tij: PS+drogë+kriminelë+korrupsion”, shkruan Basha.
Sipas Bashës, “Kjo faktohet edhe nga promovimi i Gramoz Rucit të cilit që nga 2005 qeveria amerikane i ka refuzuar hyrjen në SHBA për shkak të përfshirjes në krimin e organizuar dhe trafikun e drogës, dhe Fatmir Xhafës të përfshirë në mbrojtjen e të vëllait të dënuar nga Italia për trafikun ndërkombëtar të kokainës”.
Në fund, Lulzim Basha shton se Opozita do të bëjë çdo përpjekje për ta vënë Ramën para përgjegjësisë personale për drogën dhe krimin.





