Rreth një muaj më parë u raportua se “Big Brother” do të rikthehet në ekranin e “Top Channel” pas 4 vitesh, këtë herë jo në versionin klasik por me personazhe publike.

Ajo që ngjalli më shumë kuriozitet te publiku ishte se kush do e moderojë këtë format.

Si fillim u bë me dije se prezantimi i “Big Brother VIP” i është ofruar Arbana Osmanit por ende nuk dihej nëse ajo e kishte pranuar ftesën por gjithashtu në garë ishte edhe një tjetër prezantuese e suksesshme në “Top Channel”, Luana Vjollca.

Në mbyllje të sezonit të 5-të të “Dua të të bëj të lumtur”,  Arbana Osmani pranoi kryq e tërthorazi se ajo do të jetë drejtuesja e ‘Big Brother Vip’.

Teksa falenderoi stafin për të gjithë punën e palodhur, ajo shtoi se shumë shpejt do të vijë me një tjetër projekt, në të cilin do të ketë shumë punë së bashku me stafin e gazetarëve.

Sakaq pas këtij momenti nisën edhe mesazhet në llogarinë e Arbanës, të cilat lidheshin të gjitha me ‘Big Brother Vip’. “A mund ta besoni që kam me miliona mesazhe me të njëjtën përgjigje”, ka shkruar Arbana duke mos lënë më vend për dyshime.

Mësohet se formati do të nisë në muajin tetor, ndërsa puna për përgatitjen e gjithë spektaklit ka nisur që tani.