Kishte parkuar mjetin tip Benz pranë një lokali në zonën e plazhit, por kur ka shkuar ta marrë në mëngjes, mjeti kishte "avulluar".

Kështu i ka ndodhur shtetases S.M., 42 vjeçe, banuese në Durrës. E ndodhur në këto kushte, shtetasja në fjalë i është drejtuar policisë për të denoncuar vjedhjen.

Blutë e Durrësit kanë nisur hetimet për të zbardhur vjedhjen e për të bërë të mundur kapjen e autorit.

Por kjo nuk ka qenë vjedhja e vetme e regjistruar në Durrës 24 orët e fundit.

Policët kanë mbetur të habitur, kur 20-vjeçari P.K. pronar i dy kamionëve tip Benz dhe Fiat, i është drejtuar komisariatit për të denoncuar vjedhjen e targave të mjeteve të tij.

Rastet kur mjetet motorike vihen në shënjestër të hajdutëve nuk janë të pakta në qytetin bregdetar, por vjedhje targash ndodhin mjaft rrallë.   

Ndërkohë më fatlum ka rezultuar një 40-vjeçar nga Durrësi, të cilit, në lagjen nr.4, i kishin vjedhur motorin tip Honda.

Por, pasi policia ka nisur punën për gjetjen e mjetit motorik, motori është gjetur po në të njëjtën lagje.

Nuk dihet nëse ndokush ka dashur t’i bëjë një shaka pa kripë 40-vjeçarit, apo nëse hajduti pasi ka realizuar vjedhjen është penduar dhe ka braktisur motorin.