Një ditë më parë një shqiptar, humbi jetën në një aksident automobilistik, por kjo ngjarje prej dy ditësh ka ngritur në këmbë të gjithë qytetin e Londrës.

Fakti që Ardian Zagani u aksidentua për vdekje nga një furgon Ford teksa shkonte në ditën e parë të punës në një kolegj, nuk mund të kalonte si një ngjarje e zakonshme për anglezët.

Madje sot është zhvilluar një protestë me njerëz të shtrirë në tokë bashkë me biçikletat e tyre në solidarizim të viktimave. Shqiptari ishte i gjashti që humbte jetën teksa drejtonte biçikletën në një kohë të shkurtër.

Pas dhjetërave qytetarëve që krijuan nismën “Stop vrasjes së çiklistëve” kanë reaguar dhe disa miq të tij.

“Humbje e madhe, një boshllëk i madh në zemrat tona”, thanë disa nga kolegët e tij në kolegj.

Ndërsa një mik i tij nuk arrinte ta besonte: “Nuk mund ta besoj. Është vërtetë shkatërruese. Ardiani ishte i dashur për të gjithë”.