Gjatë ditës së sotme mediat raportuan, se në 13 bashki, nuk janë paguar sigurimet shoqërore për punonjësit. Ish-kryeministri Sali Berisha, e ka cilësuar këtë si një akt skllavërie dhe shkelje të rëndë mbi ligjin.

Me anë të një postimi në Facebook, ish-kreu i qeverisë, ka dënuar këtë akt, duke e cilësuar si sjellje kriminale të shtetit ndaj qytetarëve. Një sjellje e cila sipas tij është me dy standarde, pasin një biznes rrezikon mbylljen dhe gjoba të majme për 2 punëtorë të pasiguruar, ndërkohë që vetë shteti i skllavëron punonjësit.

Ai i ka bërë thirrje prokurorisë që të nisë menjëherë hetimin dhe të çojë para ligjit fajtorët.

Ja çfarë shkruan ish-kryeministri Berisha:

Vetë shteti në të zezë, sistem skllavërie!

Të dashur miq, mediat njoftojnë se 13 bashki të vendit dhe një seri institucionesh publike nuk kanë paguar sigurimet shoqërore për punonjësit e tyre duke i mbajtur ata në të zezë si skllevër të vërtetë. Ky është një akt kriminal, antikushtetues në shtetin e Noriegës, që meriton ndëshkim ligjor shembullor.

Kjo është vepër e vjedhjes, shpërdorimit të buxhetit të shtetit direkt nga drejtuesit për përfitime personale. Ligjet e vendit parashikojnë ndjekje penale për sipërmarrësit privat që mbajnë qofte dhe dy punëtorë të pasiguruar, kurse në shtetin e Noriegës, në sektorin buxhetor janë mijëra punonjës të pa siguruar.

Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe sistemin e skllavërisë shtetërore, i bëj thirrje prokurorisë të vendos menjëherë para ligjit këta drejtues të korruptuar!