Kryeministri Edi Rama ka bërë sot një paralajmërim të fortë ndaj grupeve kriminale të trafikut të drogës në vend, duke iu theksuar që duhet të gjejnë ‘vrimë ku të futen’.

I pranishëm në mbledhjen e Task Force, ku në fokus ishte çështja e kanabisit, Rama theksoi se do t’iu hiqet imuniteti të gjithë atyre personave që kanë krijuar të ardhura dhe vazhdojnë të krijojnë nga trafiku i drogës.

“Individë me një imunitet të marrë dhe të imponuar përmes rrugës së veprimtarisë kriminale, si një imunitet në komunitet, nuk duhet të gjejnë vrimë ku të futen në këtë vend, dhe jo të shfaqen si faktor me influencë në komunitetet tona. Askush nuk duhet i bëjë karshillek këtij populli, vajzave dhe djemve të rinj në qytete, në shkolla, në lagje, me shfaqet më spektakolare, me shkelje të gjithë normave, mjete që kushtojnë sa qimet e kokës dhe me forma që çojnë deri në marrjen të të rinjve të pafajshëm nëpër klube, nëpër mjedise ku të rinjtë mblidhen për t’u argëtuar. Këto janë situata ndaj të cilave ne duhet të bëjmë të njëjtën qasje ndaj kanabisit”, theksoi Rama.