Tre shtetas shqiptarë janë arrestuar nga policia greke nën akuzën e trafikut të heroinës, drogë e cila ishte në pronësi të një bosi me origjinë po ashtu shqiptare.
Media vendase shkruan se në pranga kanë rënë një 28-vjeçar, i cili po e niste drogën përmes makinës pranë ishullit Mitilini.
Është arrestuar gjithashtu edhe kushëriri i tij, së bashku me një tjetër shqiptar të moshës 36-vjeçare. Këta të dy po prisnin 28-vjeçarin që t’u sillte 1 kg heroinë.
Sipas hetimeve të policisë, ai që “tërheq” fijet e trafikut është një 42-vjeçar me origjinë nga Shqipëria e cili ndodhet në burg në Greqi nën akuzën e trafikut të drogës. Media greke nuk bën të ditur emrat e të arrestuarve për momentin.





