Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një status në faqen e tij të ‘Facebook’-ut ka ngritur shqetësimin e tij për faktin se librat për arsimin e detyrueshëm në vend, nuk jepen falas.
Basha theksoi se një qeveri në shërbim të njerëzve investon në libra dhe mjete shkollore, jo në fasada ministrish dhe luks qeveritarësh.
Mesazhi i Bashës
Në vend që të sjellë gëzim, fillimi i shkollës sjell ankth financiar dhe vështirësi për qindra mijëra nxënës dhe familjarët e tyre që paguajnë mbi 15 milionë dollarë çdo vit për librat e shkollave fillore dhe të mesme. Jemi vendi i vetëm në rajon ku librat për shkollimin e detyrueshëm nuk jepen falas, madje që të blesh këto tekste shkollore prindërit dhe nxënësit torturohen me orë të tëra në radhë për shkak të sistemit klientelist të shpërndarjes në pak pika. Librat për arsimin e detyrueshëm duhet të jepen falas dhe të shpërndahen nga vetë shkollat. Kjo do të ishte një ndihmë të madhe për familjet shqiptare dhe shkollimin e fëmijëve të tyre. Një qeveri në shërbim të njerëzve investon në libra dhe mjete shkollore, jo në fasada ministrish dhe luks qeveritarësh.





