Kryeministri Edi Rama ka folur në një konferencë për shtyp pas takimit informal të zhvilluar në qytetin e Durrësit me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor. 

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se mandati i tij i dytë do të ketë në fokus reformat. Gjithashtu ai foli dhe për azilkërkuesit shqiptarë. 

“Nuk ka shqiptar azilkërkues, por në kërkim të një pune, ku ata nuk e kanë lirinë të veprojnë. Dua ta them për opinionin publik se unë refuzoj ta pranoj shënjestrimin e shqiptarëve, qofshin ata azilkërkues, apo ata që kryejnë krimin, si një arsye për të treguar me gisht Shqipërinë. Kriminelët janë kriminel, kudo dhe pa dallim. Nuk ka flamur, kombësi, ka thjesht raport me ligjin. Refuzoj çdo përpjekje politike, mediatike të vendeve të BE-së, për të treguar me gisht, shqiptarët”, tha Rama.