Kontrolli teknik i mjetit në ambientet e kolaudimit në qytetin e Durrësit është kthyer në makthin e drejtuesve të mjeteve që iu duhet ta kryejnë këtë proces sa herë që afron data për rinovimin vjetor të dokumentacionit përkatës për përdorimin e mjetit. Krijimi i radhëve të gjata, por edhe procedurat burokratike tepër abuzive si në shërbim edhe në marrëdhënie me qytetarët, konsiderohet një problematikë që duhet të marrë fund njëherë e mirë në këtë institucion.
Mungesa e personelit përkatës dhe zvarritja pafund e drejtuesve të mjeteve nga këto zyra ngrihet si një çështje tepër serioze dhe aspak e denjë nga ana e qytetarëve të cilët ankohen për monopolizimin vetëm në një zyrë të këtij shërbimi, kur ajo duhet të përballojë me mijëra mjete në ditë të të gjithë qarkut të Durrësit.
Nuk mungojnë rastet kur drejtuesit e mjeteve janë kthyer mbrapsht për të njëjtin proces ndërhyrje duke iu dashur të paguajnë dyfish për kapriçot e personelit apo interesat e monopolit që e ka këtë shërbim.
Në opinionet e tyre qytetarët shprehen për mungesë korrektësie dhe aftësie në drejtim të kontrollit teknik të mjeteve, krijimin e një situate kaotike dhe përçmuese në dhënien e shërbimit dhe cilësimin aspak normal të vonesave që u krijohen nga kjo zyrë. Duke pranuar të jenë në kohën e duhur për respektimin e afateve të ligjit për datën e kryerjes së procedurave, ata kërkojnë të merren masa në këtë institucion për shtimin e numrit të personelit, por edhe krijimin e ambienteve të reja përballuese të fluksit të qytetarëve që vijnë nga të gjitha zonat e rajonit të Durrësit, duke mos i përqendruar mijëra përdorues mjetesh në një zyrë ku degjeneron edhe komunikimi qytetar në marrëdhënie me to.





