Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës rrezikon ta fusë në krizë konstituimin e institucioneve të reja. Seanca e të enjtes ishte një reprizë e seancave të deritashme të filluara që nga 3 gushti. Por, për dallim nga seancat e kaluara, kësaj radhe koalicioni PAN, i përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, ka pranuar se nuk e ka shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit për ta votuar kandidatin për kryetar të legjislativit, që do ta propozonte ky koalicion.
Rrjedhimisht, deputetët e Kuvendit të Kosovës as sot nuk kanë arritur ta zgjedhin kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, si dhe ta rrumbullakojnë procesin e konstituimit të legjislativit.
Në fillim të seancës, koalicioni PAN, ka kërkuar edhe një afat tjetër kohor për të krijuar shumicën parlamentare në Kuvend.
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj tha se PAN e ka kandidatin e saj për kryetar të Kuvendit, por nuk e ka shumicën.
“Në këto javët e fundit, por edhe sot nuk e kemi pasur shumicën. Ne kandidatin e kemi por nuk e kemi shumicën. Ne mendojmë që na duhet një afat kohorë, ma pak se sa dy javë dhe ma shumë se sa 10 ditë”, tha Hoxhaj.
Bazuar në rezultatin e zgjedhjeve dhe interpretimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, koalicioni PAN e ka të drejtën e propozimit për kryetarin e Kuvendit. Pa zgjedhjen e tij, nuk mund të bëhet asnjë hap tjetër drejt konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re.
Koalicionit PAN do t’i nevojiten të paktën 61 vota të deputetëve për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, vota të cilat deri në këtë fazë, nuk arriti t’i sigurojë.
Në një situatë të tillë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti doli me dy propozime. Së pari për PAN-in, duke i kërkuar që ta ndërrojë kandidatin për kryetar dhe në vend të Veselit të dalë me një kandidat tjetër, i cili sipas tij do të mund të siguronte mbi 61 vota. Dhe, së dyti, ai tha se nëse PAN nuk propozon kandidat, atëherë grupet tjera parlamentare duhet ta bëjnë këtë. Në këtë frymë, Kurti tha se “e shtrinë dorën e bashkëpunimit me koalicionin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancën Kosova e Re dhe Alternativës”, për formimin e institucioneve.
“Ju bëj thirrje të gjithë deputetëve të ndershëm e të përgjegjshëm, të mblidhemi që ta thyejmë bllokadën. Kosova duhet të ece përpara”.
Seanca e sotme është përcjellë me polemika mjaft të ashpra ndërmjet deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.
Kurti ka kërkuar nga koalicioni PAN që ta propozojë kandidatin e tyre për kryetar të Kuvendit, ndërkaq Veseli ka thënë se nëse Lëvizja Vetëvendosje siguron shumicën parlamentare, mund ta propozojë vet kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe për kryeministër.
Albin Kurti: Propozojeni zotëri Veselin edhe le të matet a i ka votat.
Kadri Veseli: Pushtetin merre Albin. Bëji 61 (vota).
Albin Kurti: Për zotëri Veseli… pse nuk po matesh? Dil matu, shiko a i ke 61 deputetë.
Kadri Veseli: Si kryeministër, sherrin ka për të ta parë Kosova. Ke për ta kthyer Serbinë në Kosovë.
Veseli dhe Kurti kanë vazhduar përplasjet verbale me akuza të ndërsjella edhe për çështje të simboleve kombëtare.
Kadri Veseli: Të vijë puna që të ma qesim flamurin, ta nxjerrin nga xhepi… e unë çka jam? Tradhtar? E ju çka jeni, tradhtar? Po sikur Lista Serbe ta nxjerrë flamurin e Serbisë?.
Albin Kurti: Ju e patë se si në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e barazoi flamurin kombëtar shqiptar me flamurin e Serbisë.
Duke e parë se seanca nuk po prodhon zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, kryesuesi saj, deputeti Adem Mikullovci e ndërpreu atë, duke thënë se do t’i njoftoj me kohë deputetët për vazhdimin e saj.
/REL/