26 copë gëzhoja u gjetën në vendngjarje, në afërsi të komunës Xhafzotaj nga policia, pak pasi dy persona qëlluan me breshëri drejt mjetit të blinduar të Dashamir Gjokës, ditën e mërkurë, në Shijak.
Fatmirësisht breshëria e gjatë e automatikut nuk la të lënduar kalimtarë të rastit, pasi në momentin e ngjarjes rruga ka qenë e boshatisur, sepse ishte orar drake, ku lëvizjet janë shumë më të kufizuara.
Biznesmeni i njohur, i dyshuar për vepra të ndryshme penale, duket sikur e priste një atentat të tillë dhe për këtë arsye lëvizte me makinë të blinduar.
Prej kohësh, Gjoka lëviz shumë i kujdesshëm dhe me sa duket ai i druhej ndonjë atentati ndaj tij. Gjatë denoncimit të ngjarjes, Gjoka mësohet të këtë deklaruar ndër të tjera se nuk ka arritur ta identifikonte autorin, pasi gjithçka, sipas tij, ka ndodhur në harkun e pak sekondave.
Ndërkohë, grupi hetimor pas këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe dëshmisë së Gjokës, ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Për shkak të së kaluarës kriminale të Gjokës, policia ka ngritur dy pista hetimi: Hakmarrja dhe larje hesapesh.
Për t’u pyetur për ngjarjen, policia shoqëroi një numër të lartë personash, mes tyre dëshmitarë dhe persona që mund të kenë dijeni mbi ngjarjen. Me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, Gjykata vendosi para disa kohësh konfiskimin e pasurive të Dashamir Gjokës, vendim, i cili u rrëzua nga Apeli.
Hetimi pasuror, në kuadër të ligjit “Antimafia”, nisi ndaj “të fortit” të Shijakut nga Prokuroria për Krime të Rënda, pas dyshimeve se ai i kishte krijuar pasuritë në bazë të të ardhurave të krijuara nga aktiviteti kriminal që ka kryer në Itali.





