Kryeministri Edi ka mbajtur një takim sot në ambientet e Ministrisë së Jashtme me ambasadorët shqiptarë, përfaqësues të diplomacisë jashtë shtetit, ku shprehu kritika ndaj rolit të ambasadorëve lidhur me mungesën e angazhimit të tyre në diplomacinë ekonomike.
Rama tha se e kishte të vështirë të kujtonte të kishte ardhur një sipërmarrës ekonomik në zyrën e tij që ta kish adresuar ndonjë ambasador.
“Si ka mundësi që keni qenë kaq të avashtë, ose për ta thënë shqip kaq të leshtë për të gjetur mekanizmat e duhura, hartuar formulat. Na njohin pak, s’na njohin fare, ose më keq akoma na njohin keq. Nuk di ta justifikoj këtë boshllëk.
Nuk di të pajtohem me mungesën e interesit ose qoftë të kuriozitetit të dërguarve tanë nëpër botë…
Nuk di ta kapërdij dot mungesën e ideve, propozimeve apo shqetësimeve prej vetë jush në adresën tonë”, u shpreh me nota të forta kritike Rama.
Ai vijoi më tej: “Ende kemi diplomatë delenxhi e parazitë për të cilët ju bëj thirrje të ngrini zërin në komunikimet tuaja me lidershipin politik të ministrisë së Jashtme. Ndërkohë ende gjendet ndonjë timonier allçak”.





