Një 26-vjeçar nga Durrësi është arrestuar nga policia e Librazhdit, pasi ka tentuar të djegë me benzinë shtëpinë e xhaxhait të tij pas një konflikti pronësie.
Në pranga ka përfunduar Besnik Zika, banues në Durrës.
26-vjeçari gjithashtu e ka goditur me thikë xhaxhanë e tij, M.Z, 70 vjeç dhe ka ushtruar dhunë mbi bashkëshorten e xhaxhait të tij, M.Z., 63 vjeçe, si dhe mbi nusen e djalit të xhaxhait, A.Z., 36 vjeçe.
Zika akuzohet për veprën penale "Dhuna në familje" dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr, mbetur në tentativë”.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Krimet, në Komisariatin e Policisë Librazhd bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit:
* Besnik Zika, 26 vjeç banues në Durrës
Arrestimi i tij, u bë pasi, në fshatin Përvallë për shkak të konflikteve të pronësisë dyshohet të ketë tentuar të djegë me benzinë banesën e xhaxhait të tij, shtetasit M.Z., 70 vjeç dhe më pas dyshohet ta ketë goditur me thikë.
Shtetasi M.Z., pasi mori ndihmën mjekësore në spitalin e Librazhdit, u largua në banesë.
Gjithashtu dyshohet të ketë goditur me grushte bashkëshorten e xhaxhait shtetasen I.Z., 63 vjeçe dhe nusen e djalit të xhaxhait shtetasen A.Z., 36 vjeçe banuese në fshatin Përvallë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale "Dhuna në familje" dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr, mbetur në tentativë” parashikuar nga nenet 130/a/3, 151 dhe 22 të Kodit Penal.





