Kur tradita e pjatave piemonteze takohet me shijen mesdhetare të Durrësit, rezultati janë gatime të shijshme dhe mjaft origjinale.

Kjo ndodh në restorantin “Gener Neuv”, në rrugën Carlo Leone, në Asti, ku shef kuzhine është durrsaku Veri Shaqja.

Shqiptari që prej 12 vitesh jeton në Itali, pavarësisht moshës së re, vetëm 29 vjeç, ka një CV të pasur madje shumë artikuj janë shkruar për të që kur mori pjesë dy vite më parë në emisionin “Masterchef Albania”.

Sot Veri drejton një nga restorantet më të njohur në Astigiano, me një histori 40-vjeçare.

Rishikimi i recetave tradicionale

I riu nga Durrësi, kur mori drejtimin e kuzhinës së restorantit ku punon trashëgoi recetat e Pina Fassi-t, por njëkohësisht u vuri atyre “vulën” e tij.

“Klientela jonë preferon kuzhinën tipike piemonteze, por me shije të reja”, thotë Veri.

“Preferoj të më konsiderojnë ‘i përgjegjshëm’, kam ende shumë për të mësuar”, vijon ai për median lokale.

Ky djalë i ri, pavarësisht moshës, ka bërë shumë përpara.

Mbërriti në Itali kur ishte vetëm 17 vjeç dhe filloi karrierën në kuzhinën e restorantit “Osteria Boccalatte” të Vercelli-t, nën drejtimin e Roberto Balgisit, që sot drejton restorantin e Grand Hotel të Alassio-s

“Pata fatin që takova një kuzhinier të zot, që më përcolli pasionin për këtë punë dhe më shtyu të eksperimentoja, të isha kurioz për shije të reja”.

Pavarësisht përfeksionimit në kuzhinën italiane, Veri nuk harroi rrënjët e veta, duke bërë që disa pjata të tij të sillnin shijen e kuzhinës shqiptare.

“Kujtimet e fëmijërisë”

“Kujtoj ende verat e kaluara në Durrës kur isha fëmijë, si kacavirresha në kodrat që ngriheshin përballë detit për të mbledhur manat” tregon ai me nostalgji.

Për të, rikthimi në atdhe mbetet një ëndërr që shtyhet në një datë ende të papërcaktuar.

“Në Shqipëri nuk i pëlqejnë dhe nuk i kuptojnë pjatat që kërkojnë shumë punë. Por unë kam nevojë për sfida të vazhdueshme, më pëlqen të krijoj dhe për këtë arsye Italia është vendi ku dua të jetoj”, rrëfen ai.

Vëri e bën punën e tij me shumë entuziazëm dhe shumë dedikim.

Ai është një shembull mjaft i mirë për shumë të rinj që kanë mbaruar shkollën e mesme dhe janë në kërkim të gjetjes së rrugës së tyre në jetë.