Policia e Durrësit, në bashkëpunim me stacionin e policisë Manzë, kanë arrestuar administratorin e një  kompleksi në “Kepin e Rodonit”.

Aksioni është zhvilluar në vijim të punës për kontrollin e territorit, për zënien e hapësirave publike dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve të paligjshme.

“Është arrestuar në flagrancë shtetasi S. A., 43 vjeç, banues në  Ishëm, Durrës, administrator i një kompleksi në “Kepin e Rodonit”, Durrës, për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Pushtimi i tokës”, pasi është konstatuar duke ndërtuar dhe zaptuar hapësirën publike në pjesën e rërës buzë detit, pa lejen e organeve kompetente. 

Gjithashtu u bë arrestimi në flagrancë edhe i shtetasve: E. L., 21 vjeç; Xh. B., 27 vjeç, banues më Ishëm, Durrës; F. D., 43 vjeç, banues në Lushnjë dhe F. M., 23 vjeç, banues në Manzë, për vepren penale “Dhënie ndihmë për  ndërtim të paligjshëm”, pasi ishin duke kryer punime të ndryshme në ambientet e këtij kompleksi”,- njofton policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.