Sherret për motive të dobëta, që degjenerojnë deri në përplasje fizike kanë qenë të shumta gjatë muajit gusht.

Dy raste të reja janë regjistruar në qytetin e Durrësit, ndërkohë në Shijak konflikti mes dy personave nuk është përshkallëzuar deri në goditje të njëri-tjetrit, por nuk kanë munguar sharjet dhe kërcënimet.

Policia e Durrësit njofton për tre raste të reja të regjistruara 24 orët e fundit në lagjen nr.18, në Shkallnur dhe në Shijak.

Njoftimet e policisë

  • Më datë 16.08.2017, u referuan materialet Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për shtetasin B.A, vjeç 28, banues në Durrës, pasi dyshohet se në lagjen Nr. 18, ka goditur me grusht shtetasit A.H dhe F.H, vjeç 66 e 57, banues  në Durrës. Neni 90 i Kodit Penal.
  • Më datë 16.08.2017, u referuan materialet Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për shtetasin D.M, vjeç 46, banues në Shkallnur, pasi dyshohet se në në Shkallnur, ka goditur me  mjete të forta shtetasin K.M, vjeç 51, banues në Shkallnur. Neni 89 i Kodit Penal.
  • Më datë 16.08.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, për shtetasin A.S, vjeç 41, banues në Shijak, pasi dyshohet se në datë 15.08.2017, në Shijak, ka kërcënuar me fjalë shtetasin R.S, vjeç 56, banues në Shijak. Neni 84 i Kodit Penal.