U kthye në një debat të tensionuar mbledhja e Këshillit të Sigurisë në Kombet e Bashkuara ku u mbajt raporti tremujor për situatën e Kosovës.

Shkak i ndezjes së debatit u bë deklarata e ministrit të jashtëm serb Ivica Daçiç, i cili tha populli i Kosovës nuk ka të drejtë për vetëvendosje pasi nuk ekziston një popull kosovar dhe se në Kosovë jetojnë shqiptarët, të cilët e kanë një shtet.

Nuk vonoi reagimi i ambasadores së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, e cila tha se Kosova është shtet i të gjithëve që jetojnë atje.

Çitaku e këshilloi ministrin Daçiç që kur të shkojë për pushime në Shqipëri të marrë e të lexojë libra për të mësuar më mirë historinë. Përfaqësuesi i posaçëm për Kosovën në OKB, Zahir Tanin, nënvizoi nevojën që kanë Prishtina dhe Beogradi që afrimin dhe pajtimin politik ta shoqërojnë edhe me afrim social.