Një person ka përfunduar në pranga dhe një tjetër është shpallur në kërkim, pasi janë kapur një sasi prej 46.5 kilogramësh marijuanë.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Krujë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas  po transportonte lëndë narkotike nga Kruja për në Tiranë, kanë organizuar dhe zhvilluar operacionin antidrogë të koduar "Cudhi".

Është arrestuar në flagrancë shtetasi:

• N.H. 28 vjeç, banues në fshatin Cudhi, Krujë.

Gjithashtu është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e vëllait të tij, shtetasin:

• P.H. 32 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë.

Më datë 15.08.2017, në bazë të infomacioneve të siguruara nga Strukturat Policore, në vendin e quajtur" Kroji i Madh" , fshati Cudhi gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip Benz,(në pjesën e bagazhit dhe sediljet e pasme) u gjetën dhe u  sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

• 46.5 kg  lëndë narkotike e dyshuar e llojit  marijuanë, e vendosur në 8 thasë lini.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale

" Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" në bashkëpunim   parashikuar në nenin 283/ 2  të Kodit Penal.