Shefi i Stacionit të Pikës Kufitare Triport është sulmuar nga persona që nuk janë indentifikuar ende mesnatën e djeshme.
Ai është rrahur me sende të forta nga tre persona. Ngjarja ka ndodhur pranë banesës së shefit të Policisë Kufitare në lagjen “1 Maji”, në Vlorë.
“Më datë 16.08.2017 rreth orës 01:25, Salla Operative Vlorë, njoftohet nga një telefonatë se pranë banesës së tij në lagjen "1 Maji" , një shtetas ka kërkuar ndihmë pasi e kanë goditur me sende të forta. Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje, dhe nga verifikimi paraprak ka rezultuar të jetë shtetasi S.C., 49 vjeç, banues në Vlorë, i cili është punonjës Policie, me funksion, Shef i Stacionit të Pikës Kufitare Triport”- njofton policia.
Policia thekson se në momentin e ndodhjes së ngjarjes, ky punonjës policie nuk ka qënë me shërbim.
I dëmtuari është transportuar për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Vlorë, dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.
Nga hetimi paraprak i policisë ka rezultuar se ndaj shtetasit S.C., është ushtruar dhunë fizike si edhe e kanë goditur me sende të forta, tre shtetas, ende të paidentifikuar nga policia.
Grupi hetimor po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes si edhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.





