Një ngjarje e shëmtuar është regjistruar këtë të enjte në Vlorë, ku kryeinspektori i Mjedisit Ersid Hasanllari, banues në Durrës, ka goditur disa herë me grushte në fytyrë vartësin e tij, një 33 vjeçar me inicialet E.B.

Ngjarja ka ndodhur për motive banale, Ersid Hasanllari ka ofenduar fillimisht në celular vartësin e tij se përse ai nuk ka shkuar që të gjobisë një subjekt privat për shkelje ligjore. Më pas, në përballjen me të ai e ka goditur me grushte.

Por ngjarja nuk ka përfunduar me kaq, pasi vartësi e ka denoncuar në polici dhe kjo e fundit ka arrestuar në flagrancë kryeinspektorin.

NJOFTIMI I POLICISE

Policia ndalon Kryeinspektorin pranë Drejtorisë së Inspektoriatit të Mjedisit për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”.

Më datë 10.08.2017 Specialistët për hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë, kanë bërë ndalimin e shtetasit:

Ersid Hasanllari, 28 vjeç, lindur në Skrapar dhe banues në Durrës.

Ndalimi i tij u krye pasi më datë 09.08.2017, ka bërë kallëzim penal shtetasi E. B., 33 vjeç, banues në Vlorë, me detyrë Inspektor i Mjedisit pranë Inspektoriatit të Mjedisit, dega Vlorë, i cili ka kallëzuar penalisht shtetasin Ersid Hasanllari me detyrë Kryeinspektor pranë Drejtorisë së Inspektoriatit të Mjedisit, dega Vlorë, sepse ky i fundit ka goditur shtetasin E. B., gjatë ushtrimit të kryerjes së detyrës së tij.

Kryeinspektor Ersid Hasanllari ka ofenduar nëpërmjet telefonit vartësin e tij shtetasin E.B, me pretendimin se pse s’ka shkuar të vendosë një gjobë në një subjekt privat.

Më pas Ersidi është konfliktuar fizikisht me vartësin e tij shtetasin E.B, duke e goditur me grushte me pretendimin se është vonuar në vendosjen e gjobës së subjektit privat.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar pamjet filmike dhe celularët, si dhe prova të tjera.

Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”, parashikuar nga neni 237 i Kodit Penal.