Një shofer nga Maqedonia është arrestuar në flagrancë nga policia rrugore e kryeqytetit, pasi ka tentuar të korruptojë një efektiv.
Shoferi maqedonas është ndaluar në një orar, kur kamionëve nuk u lejohet të qarkullojnë dhe për të shmangur gjobën i ka ofruar policit një “kafe” (5 euro).
Pavarësisht se bëhej fjalë për një drejtues mjeti nga një vend i huaj, policia nuk ka nguruar të bëjë arrestimin e menjëhershëm të shoferit nga Maqedonia, që shkeli me të “dy këmbët” ligjin shqiptar.
Njoftimi i policisë
Më datë 09.08.2017, rreth orës 08:30, punonjësit e qarkullimit rrugor, kanë konstatuar mjetin kamion tip "DAF", me drejtues shtetasin maqedonas Z. A., 41 vjeç dhe pasagjer shtetasin T. R., 32 vjeç, në një orar ku lëvizja e mjeteve të këtij lloji ishte e ndaluar.
Nga ana e punonjësve të qarkullimit rrugor është bërë ndalimi i mjetit, ku drejtuesit të mjetit i është komunikuar arsyeja e ndalimit dhe ndëshkimi me masë adminstrative. Gjatë kësaj kohe, pasagjeri që ndodhej në mjetin kamion tip "Daf", shtetasi T.R., i ka ofruar shumën prej 5 euro, punonjësit të qarkullimit rrugor në këmbim të mos vënies së masës administrative. Për pasojë në kushtet e flagrancës, është bërë arrestimi i menjëhershëm i shtetasit maqedonas:
– T. R., 32 vjeç, banues në Maqedoni.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur, për veprën penale "Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike", parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal.





