Identifikohet mjeti dhe autori që aksidentoi për vdekje mbrëmjen e djeshme një 23-vjeçar me motor.

Pas një pune hetimore të shpejtë, efektivët e Krujës kanë bërë të mundur identifikimin e mjetit dhe arrestimin e autorit. Ai është Haxhi Kullaj 18 vjeç, banues në fshatin Arrameras, Fushë-Krujë.

Kullaj, më datë 09.08.2017 rreth orës 22:00, në rrugën Fushë-Krujë – Kamëz, në fshatin Larushk, duke drejtuar mjetin tip “Volkswagen”, ka goditur motoriçikletën tip “Kavasaki”, me drejtues shtetasin I.B. 23 vjeç, banues në Borizanë, i cili ndërroi jetë në spital.

Kullaj, nuk ishte i pajisur me leje drejtimi dhe pasi shkaktoi aksidentin është larguar nga vendi i ngjarjes, bën me dije policia e Durrësit.

Ai do të përballet me drejtësinë nën 3 akuza: “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.