Kryeministri Edi Rama ka marrë sot një telefonatë nga Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson, i cili e ka uruar Kryeministrin për fitoren kuptimplotë në zgjedhje. Në një njoftim të shpërndarë nga zyra për shtyp e Kryeministrit thuhet se, Tillerson ka shprehur bindjen se mandati i fortë që ka marrë për të qeverisur e vetme, e obligon Partinë Socialiste të thellojë shpejtësinë e reformave, pastrojë administratën nga të korruptuarit dhe shënojë rezultate domethënëse në luftën kundër krimit.

Duke i shprehur Kryeministrit të gjithë mbështetjen e qeverisë amerikane në mandatin e ri qeverisës, Sekretari i Shtetit, thuhet më tej në njoftim, i ka përcjellë Edi Ramës përshtypjet shumë pozitive të Zëvendes Presidentit Pence nga takimi i javës së shkuar në Malin e Zi dhe ka rikonfirmuar vullnetin amerikan për një vëmendje të përqendruar në zhvillimet në rajon.

Ndërsa nga ana e tij, Kryeministri Rama e ka falenderuar bashkëbiseduesin për telefonatën dhe i ka bërë një pasqyrë të plotë të situatës rajonale nga këndvështrimi i vendit tonë, duke u përqendruar kryesisht tek dialogu Kosovë – Serbi dhe nevoja për zhbllokimin e ngërçit të emrit të Maqedonisë.

Në pjesën e fundit, thuhet më tej në njoftim, biseda është shtrirë tek roli i Shqipërisë në NATO, kontributi i saj në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, ku Sekretari Tillerson mësohet se është shprehur me konsideratat më të larta. Ndërsa Kryeministri Rama ka kërkuar intensifikimin e bashkëpunimit me SHBA në sektorin e energjisë dhe posaçërisht të naftës e të gazit, çka është pritur me shumë interes nga bashkëbiseduesi.

Biseda telefonike mes të dyve mësohet se ka zgjatur më shumë se njëzetë minuta.