*Prej dy ditësh nuk ka shërbim online sistemi!
Si të mos mjaftonin temperaturat e larta, mundimet e shoferëve të Durrësit dhe të zonave përreth nuk kanë të sosur në kolaudimin e Durrësit.
Prej dy ditësh me dhjetëra apo qindra automjete që kanë datën e shërbimit të kolaudimit dhe të pagesës së taksave kanë mbetur në radhë e në tmerrin e këtyre ditëve të nxehta. Sisitemi online nuk punon dhe shoferët qëndrojnë në radhë e në pritje se ndoshta brenda orarit të përcaktuar sistemi mund të kthehet.
Por pritja që dy ditë është e kotë. Shqetësimi është bërë publik nga shoferët të cilët i janë drejtuar kolaudimit, por më kot se mund të kryejë punë, apo të paguajnë taksat. Janë automjetet nga Rrogozhina, Kavaja, Durrësi, Shijaku e Kruja që përplasen në të vetmen pikë të kolaudimit në Durrës, duke u krijuar radhë të gjata.
Gjatë ditëve të fundit në të njëjtin vend është bërë edhe bashkimi i automjeteve të vogla, veturave dhe kamionëve duke bërë që mundimi e zemërimi i shoferëve të arrijë në maksimum. Shoferët deklarojnë se kjo situatë nga koncensionari privat i kolaudimit të mjeteve është bërë problem i madh për të gjithë taksapaguesit.
“Na përcëlluan në vapë, si gjarpri u përcëllofshin me gjithë ç’kanë, që nuk na lënë të mbyllim punë. Nuk ka sistem na thonë! Paguajmë taksa pa marrë shërbim, ky është skandal, të rrimë me orë të tëra në radhë për të kryer kolaudimin sepse nuk hapen pika të reja nga koncensioanri. Shteti duhet të jetë rregullator, në të kundërt shoferët do të dynden këtu me orë të tëra”, thonë ata. Në kompaninë SGS në Durrës prej vitesh është kjo problematikë e madhe.
K.H.





