Magjistrali kryesor rrugor Plepa-Rrogozhinë, është nyja e vetme rrugore që lidh Kosovën, Veriun e vendit me Jugun, duke përshkuar zemrën e turizmit shqiptar bregdetin Adriatik nga Durrësi në Kavajë. 8 vjet nga nisja e punimeve në fillim të vitit 2009, segmenti më i mbipopulluar me turistë të huaj e vendas është në errësirë të plotë, duke mbjellë aksidente të rënda rrugore, frikë dhe panik te pushuesit e shumtë.

As rruga nacionale, autostrada Plepa-Kavajë, dhe as rruga dytësore që përshkon zonën bregdetare nuk ka ndriçim. Në autostradë, shtyllat janë vendosur në mes të rrugës, por nuk funkionojnë, ndërsa në rrugën dytësore nuk ka shtylla fare. Në këtë terr duhet të lëvizin pushuesit në këmbë apo me makina.

Shtyllat elektrike janë, por ndriçim rruga nuk ka, ndërsa nëpër terr shikon pushues të shumtë e këmbësorë që lëvizin.

Të gjithë pa përjashtim, pushues vendas e të huaj, banorë të zonës e kalimtarë tranzitë ndjehen të pasigurt teksa udhëtojnë në këtë aks kaq të rëndësishëm rrugor.

Rrugën e vijojmë më tej në Golem e në Malin e Robit. Këtu dritë bën veç Hëna e netëve të gushtit. Tabelat e gjithçka tjetër është në errësirë të plotë, ndërsa shtyllat e ndriçimit në rrugë janë jashtë funksioni.

Ndonjë stacion i furnizimit me karburant bën dritë, disa metra më pas errësirë. 

Në këtë magjistral janë ndërtuar mbikalime për këmbësorët. Por që këmbësorët të gjejnë mbikalimet në errësirë të plotë është shkak i aksidenteve.

Në këtë segment aksidentet kanë qenë të shumta dhe fatale me jetë njerëzish. Errësira bëhet shkak si për aksidentet ashtu edhe për vjedhjet e ndryshme të makinave apo dhomave të pushuesve në këtë zonë super të mbipopulluar. Janë dy njësi vendore, Bashkia Durrës dhe Kavajë që kanë në menaxhim zonën bregdetare që lag Adriatiku. Autostrada është nën varësinë e Drejtorisë së Përgjithshme të rrugëve në Ministrinë e Transporteve. 

Apeli i pushuesve dhe banorëve është i njëjtë! Vendosni në punë shtyllat e ndriçimit në rrugën e cila ka përfunduar së ndërtuari plotësisht një vit më parë.

Apeli i drejtohet strukturave të shtetit, atyre që duhet të mbajnë përgjegjësi për plotësimin e kushteve më minimale të lëvizjes në rrugë. Ata shprehen se ndjehen të tmerruar jo vetëm nga frika se mund të shtypen nga makinat, por mund të bien lehtë pre e hajdutëve dhe keqbërësve të ndryshëm.

Jo rrallëherë makinat e pushuesve dhe dhomat ku pushojnë në banesa e në hotele kanë rënë pre e hajdutëve që iu kanë vjedhur gjithçka prej parave, sendeve personale, makinave etj. dhe autorët nuk janë zbuluar kurrë. Errësira bëhet shkak për ngjarje të rënda, thonë pushuesit.

K.H.