Nga Mila Ballhysa

Pas humbjes historike të PD-së në qarkun e Durrësit, vetëm njësia administrative Katund i ri e ngjyrosi pak me blu hartën e kthyer mavi.

Por edhe në këtë njësi, PS-ja ngushtoi aq shumë diferencën me PD-në, aq sa socialistëve u duket se kanë fituar edhe në këtë njësi administrative, pavarësisht se shifrat janë në favor të PD-së.

E pikërisht në këtë zonë, të populluar kryesisht nga të ardhurit në Durrës gjatë viteve të tranzicionit, e cila ka votuar tradicionalisht për të djathtën, janë ngritur ankesat më të shumta drejtuar kryeministrit Rama gjatë dëgjesave publike.

Nga një vëzhgim që DurrësLajm bëri në raportin e ankesave të Durrësit, të publikuar pasditen e sotme nga kryeministri Rama, ankesat më të shumta vijnë nga kjo njësi e pushtetit vendor.

Duket se qeverisja për një kohë të gjatë nga pushtetarët vendorë të PD-së, e ka lënë këtë zonë në harresë të plotë.

Shumë prej ankesave të banorëve të saj drejtuar kryeministrit janë jetike si p.sh.: Mungesa e ujit të pijshëm, problemet me energjinë elektrike, ndërtimi i argjinaturës së lumit Erzen, kullimi i tokave apo mungesa e infrastrukturës nëpër shkolla, kopshte e çerdhe.