Dy policë janë pezulluar nga detyra në qytetin e Durrësit, pas denoncimit të një qytetari nga Kosova se i kanë kërkuar rryshfet. Policia e Durrësit ka nisur hetimet për çështjen në fjalë dhe policët nuk do të mund të ushtrojnë detyrën deri në sqarimin e rrethanave.  

Njoftimi i policisë

Në lidhje me një publikim në media online, ku një qytetar nga Kosova ka denoncuar dy punonjës policie me pretendimin se i kanë kërkuar rryshfet, bëjmë me dije se:

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës sapo është njohur me rastin ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të I.Sh. dhe I.V.  efektive policie të Qarkullimit Rrugor, deri në sqarimin e rrethanave.

Nga verifikimet e kryera është konstatuar se në lidhje me rastin e denoncuar, për mjetin në fjalë është vendosur një masë administrative nga patrulla e Policisë.

Për veprime të mëtejshme më të hollësishme çështja është dërguar pranë Drejtorisë së Standarteve Profesionale në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, për evidentimin dhe marrjen e masave përkatëse.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës falenderon çdo qytetar për bashkëpunimin dhe mediat për denoncimin, duke garantuar marrjen e masave konkrete ndaj punonjësve që shkelin ligjin.