Thellohet tragjedia për familjen e biznesmenit Zenunaj i cili humbi jetën pas shpërthimit të gazit në Velipojë.
Edhe djali i tij 33-vjeçar Hektor Zenuni nuk ka mundur të mbijetojë. Megjithëse u dërgua në Turqi për mjekim të specializuar nuk arriti që t’i bëjë ballë plagëve të marra nga shpërthimi në restorant “Il Cavaliero” në Velipojë pak ditë më parë në pronësi të babait të tij.
33-vjeçari që u fut në depon e nëndheshme për të shpëtuar babanë e tij, pësoi djegie të mëdha në fytyrë dhe gjoks, dhe po kështu djegie të shkallës së dytë dhe të tretë pësoi edhe babai i tij, Besnik Zejnuni, pronari i resortit. Të dy u nisën me helikopter drejt spitalit ushtarak në Tiranë, por Besniku ndërroi jetë pas 36 orësh nga ngjarja.
Një javë më parë, motra e Hektorit apeloi për të mbledhur fonde për kurimin e vëllait të saj, duke u shprehur e pikëlluar për gjendjen e 33-vjeçarit. Por, me gjithë ndihmën e specializuar në Turqi, fatkeqësisht i riu nuk mundi të mbijetonte.
Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e 28 korrikut ndërsa shkak u bë rrjedhja nga një depozitë e madhe gazi që ndodhej në bodrumin e restorantit.





