Procesi i kalimit të pasagjerëve të trageteve që vijnë nga Shqipëria dhe zbarkojnë në portin e Barit është përmirësuar, por fluksi i lartë kërkon ndërhyrje.
Deklarata vjen nga Autoriteti rajonal i Puglias, i cili thekson se përshpejtimi i procesit është bërë i mundur falë vendosjes në zbatim të propozimeve të bëra në tryezën e rrumbullakët të datës 19 qershor mes këtij institucioni, Konsullatës shqiptare, Autoritetit të Sistemit Portual, Guardi di Finanza, doganës dhe policisë kufitare.
“Bashkëpunimi mes institucioneve të përfshira ka lejuar, në mënyrë të dukshme, të përmirësojë mbarëvajtjen e trafikut të pasagjerëve. Kjo i detyrohet mbi të gjitha disponibilitetit dhe fleksibilitetit të personelit të angazhuar me kontrollet kufitare”, shkruhet në njoftimin zyrtar.
Megjithatë, Rajoni i Puglias shprehet se ky port do të vihet në eficencë të plotë vetëm në vjeshtë, pasi të kenë përfunduar punimet për zgjerimin e infrastrukturës, si edhe të jetë përmirësuar menaxhimi duke shfrytëzuar forma të partneritetit publik privat.
Deklarata njofton se falë një marrëveshjeje me autoritetet portuale të Durrësit, do të rregullohen në akord me pronarët e linjave edhe oraret e nisjes dhe mbërritjes të anijeve nga të dyja anët e kufirit, në mënyrë që të reduktohet rreziku për bllokime në fazën e kontrollit doganor.
Ky rajon do t’i propozojë qeverisë italiane edhe mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje me Shqipërinë, e cila do të lejojë që kontrollet doganore të bëhen që në momentin e nisjes.
Sipas Rajonit të Puglias, këto ndryshime në sistemin e menaxhimit të pasagjerëve do të sjellin krijimin e një zone logjistike të integruar, e cila nga Napoli e përmes porteve puglieze e të Durrësit, do të mund të arrijnë Detin e Zi, për të realizuar ëndrrën e Korridorit 8 paneuropian, një ëndërr aspak e paarritshme.
/SCAN/