Mustafa Nano i ka kërkuar ndjesë publikisht studiuesit Moikom Zeqo.
Pas “deklaratës” së Nanos, se nëna e Skënderbeut ka qenë sllave (serbe), Zeqo, botoi një shkrim, ku i kundërvihej kësaj teze, çka, së bashku edhe me shumë reagime të tjera, mes të cilave edhe ato të avokatit Spartak Ngjelës, që shprehej se ai ishte i paguar nga islamikët apo Artan Shkrelit që thoshte se bëhet fjalë për një “tezë sllave”, e irritoi publicistin.
I ftuar në studion e Turian Hyskës në “Vizion Plus”, Nano do t’i merrte me radhë të gjithë “sulmuesit” e tij, duke u vënë nga një “epitet”. Spartak Ngjelën e konsideroi “idot”, Shkrelin, “racist”, ndërsa reagimin e Moikom Zeqos, e krahasoi me atë të një të sëmuri psikik.
Pas kësaj deklarate, reagoi sërish studiuesi, por padyshim, me tonalitete më të zbutura. Pasi kanë kaluar disa ditë, duket se Mustafa Nano është penduar për reagimin e tij kundrejt Moikom Zeqos.
Ai i ka kërkuar atij ndjesë publike, në programin e Enkel Demit, “Fol me mua, fol me ata”, ku ishte i ftuar për të folur për librin e tij më të fundit, “Sandwich; A është mirë me qenë shqiptar”.
“Ishte një reagim i shpërpjestimuar nga ana ime. Ishte një reagim në të nxehtë. Moikom Zeqo nuk i ka hak ato fjalë”, tha Nano, duke vlerësuar studiuesin. Por, fakti se ai kërkon ndjesë, nuk do të thotë se ai po ashtu pajtohet me shkrimin e Zeqos. “Kjo nuk ndryshon asgjë në pjesën tjetër. Unë nuk mund të pajtohem me shkrimin e tij, më saktë me frymën e atij shkrimi, apo me rolin prej gardiani të nderit nacional që ai i dha vetes kur zuri të thoshte ‘mjaft, mjaft, mjaft me Skënderbeun’. Por përsëris, kjo nuk e justifikon qëndrimin tim ndaj tij. Shfrytëzoj rastin për t’i kërkuar ndjesë. Jo vetëm atij, por edhe publikut”.
Në programin e Enkel Demit, Nano “la pas Skënderbeun” dhe u ndal në një tjetër çështje, ende të pazbardhur në historinë e shqiptarëve, atë të vijueshmërisë iliro-arbër. “Origjina ilire e shqiptarëve nuk është një gjë tërësisht e provuar”, tha Nano. Këtë temë ai e ka prekur edhe në librin e tij “Sandwich”. Ai ironizon me përpjekjet që janë bërë për t’i nxjerrë shqiptarët, madje si pasardhës të pellazgëve.





